E vërteta e historisë së Elijona Binakajt – familja del me sqarim
Familja dhe menaxhmenti i Elijona Binakajt kanë reaguar publikisht pas disa lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi në media dhe rrjete sociale, lidhur me të kaluarën e saj personale. Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në profilin e Elijonës në Instagram, ata kanë sqaruar se një pjesë e informacionit të shpërndarë nuk përputhet me realitetin dhe është keqinterpretuar nga disa portale.
Sipas deklaratës, Elijona ka qëndruar për një periudhë pesëvjeçare, nga mosha 7 deri në 13 vjeç, pranë një familjeje gjermane. Ky qëndrim ka qenë i përkohshëm dhe i lidhur me procesin ligjor që babai i saj biologjik po ndiqte për të fituar kujdestarinë, gjatë fillimeve të jetesës së tij në një shtet të huaj. Familja thekson se kjo situatë nuk ka qenë rezultat i ndonjë ndërhyrjeje të dhunshme apo të padrejtë nga institucionet shtetërore.
Në deklaratë sqarohet gjithashtu se ka qenë vetë Elijona ajo që ka marrë vendimin për t’u kthyer te babai i saj biologjik, pasi nuk ka pasur dëshirë të vazhdojë të qëndrojë më gjatë pranë familjes gjermane. Duke qenë se bëhej fjalë për një e mitur, në proces janë përfshirë edhe autoritetet përkatëse gjermane, përfshirë policinë, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme për mbrojtjen dhe mirëqenien e saj.
Familja dhe menaxhmenti kanë reaguar ashpër ndaj mënyrës se si disa media kanë interpretuar këtë histori, duke e cilësuar informacionin e publikuar si të deformuar dhe dezinformues. Ata kanë bërë të ditur se kanë nisur procedura raportimi në platformën Meta dhe se paralelisht do të ndërmarrin hapa ligjorë ndaj çdo mediumi që ka shpërndarë lajme të pasakta.
Në fund të deklaratës, familja u bën thirrje mediave që të tregojnë përgjegjësi profesionale, të respektojnë faktet dhe të mos manipulojnë historinë personale të një vajze që, sipas tyre, sot ka zgjedhur të ecë përpara dhe të shkëlqejë.



Post Comment