JO për çështjen e presidentit/ Vjosa Osmani THËRRET në takim kryetarët e gjitha partive, ja pse
Për disa ditë me radhë, në Davos të Zvicrës u mbajt Forumi Ekonomik Botëror, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale ku u diskutuan çështje kyçe të ekonomisë, sigurisë dhe paqes ndërkombëtare. Pjesë e këtij forumi ishin edhe udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët zhvilluan takime dhe diskutime me liderë të shumtë botërorë.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, prania e të cilit mori vëmendje të veçantë. Pikërisht gjatë këtij forumi, Trump u bë kryefjalë pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, një dokument që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin për paqe globale. Në këtë kartë ishte nënshkruese edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shënuar kështu një tjetër moment të rëndësishëm për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Lidhur me këtë zhvillim, presidentja Osmani ka në plan të thërrasë në një takim të përbashkët liderët e partive politike në Kosovë. Qëllimi i këtij takimi do të jetë informimi dhe diskutimi rreth pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe sqarimi i rolit dhe rëndësisë që ka ky angazhim për vendin.
Lajmi është bërë i ditur nga shefja e kabinetit të presidentes, Learta Hollaj, e cila ka theksuar se takimi synon transparencë dhe koordinim politik për një çështje me interes të veçantë shtetëror. Ky hap i Osmanit shihet si një përpjekje për të përfshirë spektrin politik në vendimmarrje dhe për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët lidhur me angazhimet ndërkombëtare të Kosovës.



Post Comment