BËHUNI GATI: Ish-finalistja e njohur e Big Brother VIP shpreh ambicie për tu futur në politikë
E pyetur se ku e sheh veten pas 10 vjetësh, moderatorja dhe ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP”, Heidi Baci, ka surprizuar me një përgjigje të sinqertë dhe jo të zakonshme për botën e ekranit. Ajo u shpreh se do të dëshironte ta shihte veten të angazhuar në politikë, duke lënë të kuptohet se ambiciet e saj shkojnë përtej televizionit dhe famës.
Pyetja iu drejtua Heidit duke marrë shkas nga një trend i vitit 2016, ku shumë njerëz reflektonin se ku ndodheshin 10 vite më parë. Moderatorja theksoi se jeta ndryshon në mënyrë të paparashikueshme, madje “në sekondë”, por nëse do të fliste për dëshira dhe plane afatgjata, politika do të ishte një fushë që do donte ta provonte. “Mendoj se do të doja të provoja në jetën time politikën”, u shpreh ajo, duke shtuar se kjo ide lidhet me rritjen personale dhe përvojën jetësore.
E pyetur nëse do ta pranonte një propozim konkret për t’u përfshirë në politikë, Heidi theksoi se për të nuk është thjesht çështje propozimi. Ajo beson se me kalimin e viteve, njeriu fiton më shumë bagazh, mëson më shumë nga jeta, udhëtimet dhe eksperiencat, duke qenë më i përgatitur për të dhënë një kontribut real për shoqërinë. Sipas saj, politika mund të jetë një formë pushteti, por në kuptimin pozitiv të fjalës, për të ndihmuar dhe ndikuar te të tjerët.
Heidi shtoi se angazhimi në një fushë të tillë vjen si rezultat i rritjes personale dhe gjetjes së vetes në atë që dëshiron të bësh. Edhe pse e pranoi se në Shqipëri politika shpesh lidhet me propozime konkrete, ajo theksoi se për të më e rëndësishme është të ndihet e bindur dhe e përgatitur për një hap të tillë. Deklarata e saj ka ngjallur interes dhe diskutime, duke treguar një tjetër anë të moderatores, më serioze dhe të fokusuar te e ardhmja.



Post Comment